Më 4 maj 2015 regjimi amerikan i Tiranës më ngriti katër akuza:
- Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme
- Thirrje publike për dhunë kundër rendit kushtetues
- Kundërshtim të forcave të rendit
- Tentativë të marrjes së armës me forcë të punonjësve të policisë së shtetit
Kjo ndodhi gjatë tubimit të datës 4 maj 2015 në Kukës, ku dhe u arrestova barbarisht nga policia e shtetit. Do të kaloja 16 ditë arrest me burg përpara se të krijoja një ide të qartë të akuzave dhe të situatës sime ligjore, ndërsa situata politike do të merrte kohë që të sqarohej.
Pas 16 ditësh Gjykata e Apelit në Shkodër vendosi që të gjykohesha në gjendje të lirë, pra me detyrim paraqitje. Ndërkohë kishte qenë vetë policia e shtetit që kishte hequr akuzat 3 dhe 4, “sakrificë”, që ishin detyruar ta bënin për hir të shfaqjeve të pamjeve filmike ku shfaqeshin policët duke më goditur edhe pse unë isha i lidhur me pranga. Terroristët e regjimit nuk mund të linin pa transmetuar në media një “poshtërim” të tillë të planifikuar – një sjellje tipike e okupatorëve dhe barbarëve britanikë.
Në të vërtetë lirimi im u bë i mundur nga ndihma ligjore dhe publike që ishte detyruar të bëjë vëllai im, Sabri Lushi, edhe pse ai nuk ishte pjesë e aktivitetit tim publik. Në fillim nuk do të kristalizohej kjo gjë, por shumë shpejt, i braktisur nga avokatët, do të sqarohej që pa reagimet e tij dhe pa organizimin ligjor të mbrojtjes sime unë nuk do të lirohesha.
Kështu filloi odiseja me gjykatat shqiptare, e për rrjedhojë me vetë regjimin amerikan të Tiranës. Do të shpallesha i pafajshëm vetëm në vitin 2017 në Gjykatën e Apelit në Shkodër, por kjo pafajësi formale do të shënonte fillimin e luftës së vërtetë me qeverinë shqiptare, që tashmë do të zhvillohej përmes sulmeve informale.
Kështu lindi nevoja e hapjes së një faqes https://nderimlushi.com, e cila shërbente për të bërë publike këtë përballje me gjykatat e korruptuara shqiptare, të cilat në thelb përfaqësonin anën më barbare dhe më të korruptuar të pushtimit amerikan në Shqipëri.
Kanë kaluar 8 vite që nga protesta e datës së 4 majit 2015, pafajësinë e fitova në pranverë të 2017, por lufta e qeverisë shqiptare është sot më intensive dhe më barbare se kurrë, prandaj nevoja për të pasur një blog vazhdon të jetë jetike dhe e nevojshme.
E vetmja armë që mund të përdorësh për të mbrojtur veten nga sulmet e regjimit është fjala e lirë dhe publikimi i kësaj rezistence.
Nderim Lushi