Në Shqipërinë e viteve ’90 – ’95 ishin në gjendje pune rreth 500 fabrika, të cilat ishin relativisht të amortizuara dhe nuk mund të konkuronin tregun e jashtëm.
Besoj keni dëgjuar që në ditët e sotme lufta nuk është më me heshta, shpata dhe pushkë, (përgjithësisht) por sot lufta e vërtetë është lufta e tregjeve, dhe per tregje…
– Kështu do të fillonte shkrimi që kam shkruar në vjeshtën e vitit 2016. Një shkrim që qeveria Shqiptare do ta bënte viral për 6 vitet e ardhshme (akoma vazhdon), i cili herë do të shpërndahej nën emrin tim, dhe herë jo, por mesazhi aspak i saktë nuk do të ndryshohej.
Ky koment lindi si një reagim ndaj një interviste, ku intervistohej themeluesi i Partisë së Sigurimit të Shtetit, i cili ndër të tjera, në një kohë kur shqiptarët diskutonin bukën dhe kishin lënë shqipërinë drejt azileve dhe rrugëve të BE-së, deklaronte: ”në drekë pi vetëm verë të kuqe, pak verë“. Sigurisht që spiuni i përgjithshëm dhe themeluesi i partisë së sigurimit të shtetit kërkonte vëmendje, kjo përmes provokimeve të tilla, por ishte akoma herët që unë t‘a kuptoja që individi në fjalë realisht bënte aktorin dhe gazetarin, dhe se nuk kishte asnjë lidhje me politikën.
Kështu që aktivitetin publik e kisha filluar pa ndonjë përgatitje të veçantë, ndërsa përballë gjeta një sistem shtetëror shumë të përgatitur, gjakatar dhe terrorist; sistem politik të drejtuar nga krerët bllokmenë dhe ish-sigurimsa të partive politike shqiptare, të mbështetur dhe të sponsorizuar nga perëndimi me përfaqësim në Tiranë, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në shkrim unë do të akuzoja Serbinë dhe Greqinë, në mënyrë simbolike, por pa e sqaruar simbolizmin, që ata janë shkaktarët e shkatërrimit të ekonomisë së Shqipërisë. Shkurt, akuzoja direkt klasën politike të Shqipërisë, si të sponsorizuar nga fqinjët dhe i akuzoja në ato pak rreshta, si agjentë të fqinjve tanë.
Pse zgjodha Serbinë dhe Greqinë në atë shkrim dhe jo një shtet tjetër?
Shkrimi nuk ishte studim, por ishte një koment i shkurtër me pak fjali, ku synohej të denoncohej, denoncim sipas mentalitetit tim dhe atij shqiptar, themeluesi i Partisë së Sigurimit të Shtetit dhe gjithë klasa politike shqiptare e korruptuar dhe anti-shqiptare; dhe ky mentalitet verior në gjuhën informale mishërohej në fjalët “serb“ dhe “grek“. Këta janë dy kombet fqinje me të cilat realisht kemi pasur konflikte, por më tej kupton që ato janë vende, të cilat janë projektuar nga elitat për të qenë në konflikt të vazhdueshëm me shqiptarët. Kjo teknikë dhe ky model ekziston në çdo vend të botës dhe për këtë çështje janë bërë studime dhe janë shkruar libra, të cilët shpjegojnë ndarjen e shteteve dhe natyrën e konflikteve të vazhdueshme të shteteve fqinje. Si shembull mund të përmendim disa vende: Arabia Saudite dhe Irani janë në konflikt të vazhdueshëm, India me Pakistanin, gjithashtu Franca dhe Gjermania para shumë vitesh kanë kaluar të njëjtën fazë dhe të njëjtën gjendje të grindjeve dhe të konflikteve të vazhdueshëm. Shumë autorë të ndryshëm e kanë shpjeguar që këto dukuri janë krijuar me lindjen e shtetit modern, si formë organizative, të cilat funksionojnë si mjet kontrolli ndaj popullsive civile të këtyre shteteve, pavarësisht faktit që grindje të tilla bazohen në mosmarrëveshje reale.
Pushteti i vërtetë ka natyrë imperialiste, dhe se shtetet e vogla në realitet nuk funksionojnë njëlloj si shtetet e mëdha, porse ato janë pjesë e civilizimeve dhe perandorive botërore, ku sot kjo ‘perandori’ dhe ky civilizim e ka qendrën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Është e kuptueshme pse akuzoja grekët dhe serbët, sepse këta emra janë emra që përfaqësojnë në opinionin publik shqiptar të keqen dhe armikun, pavarësisht që e keqja është më e komplikuar. Janë këta emra që flenë në subkoshiencën time personale, si personifikim i armikut dhe i të keqes dhe kjo gjë nuk ka pse sqarohet, është diçka që e kuptojnë të gjithë shqiptarët. Lufta dhe masakrat në Kosovë kishin ndodhur në vitin e gjallë dhe të afërt të 1999-së, kështu që natyrshëm fjala “serb“ do të shfaqej shumë natyrshëm në disa komente të miat, dhe do të më vinte natyrshëm në disa deklarata publike që do të bëja gjatë aktiviteteve publike. Në fund të fundit jam një qytetar i zakonshëm dhe i lirë shqiptar dhe jo një aktor i kuruar i regjimit që nuk bëj gabime, dhe për rrjedhojë shprehesha natyrshëm me mentalitetin e zakonshëm të çdo kuksiani dhe të çdo shqiptari.
Kush i prishi fabrikat në Shqipëri, dhe më tej kush e mban peng popullin shqiptar?
Para 5 vitesh kjo pyetje dukej që kishte një përgjigje shumë të thjeshtë, pra në atë kohë do të shprehesha: ”klasa politike shqiptare, e paguar nga serbët dhe grekët, prishi çdo fabrikë dhe çdo punishte në shqipëri”. Pjesërisht nuk kam qenë gabim, pasi përgjegjëse direkte dhe ekzekutore ka qenë me të vërtetë klasa politike shqiptare. Një deklaratë e tillë nuk kishte pse mos të bëhej virale dhe të shpërndahej pafund nga regjimi, pasi në thelb ishte një deklaratë pjesërisht e vërtetë, keqinformuese dhe në thelb mbronte projektuesit e vërtetë të atij shkatërrimi. Regjimi normalisht promovon gabimet dhe të pavërtetat dhe kështu bëri dhe me atë koment. Por mbi të gjitha, shkrimi ushqente konflikt me shtetin serb, konflikt, i cili është projektuar dhe mbështetet nga elitat; kështu që padashur ai koment mbështeste axhendat e tyre.
Unë nuk besoj se ka një pëgjigje me një fjali mbi fajtorët e prishjes së fabrikave në Shqipëri gjatë viteve 1990-1995. Gjithsesi nëse do të më lejohej vetëm një fjali, sot do të shprehesha: ”fabrikat shqiptare u shkatërruan nga boshti Paris-Berlin-Londër-Washington’‘. Nëse gjithçka kërkon të shprehet vetëm me një fjalë, atëherë përgjigja është: ”Amerika”. E kush tjetër, përveç SHBA-ve, kishte dha ka interesa, mundësi dhe kapacitete për të urdhëruar zhvillimin dhe moszhvillimin ekonomik të një vendi?! Serbia, dhe ndoshta dhe fqinji jugor grek do t‘a dëshironte shumë një pozicion të tillë nga do të mund të drejtonin popullin shqiptar, por ja që në realitet asnjëri nga fqinjët tanë nuk është në një pozicion të tillë.
Serbia nuk është superfuqi, dhe as shtet që ka kapacitete për të përcaktuar dhe influencuar zhvillimet e vendeve të tjera, në të kundërt, është vetë subjekt i influencave, është vetë Serbia një fushë-lojë e elitave dhe e fuqive të mëdha. Ne mund t‘a akuzojmë Serbinë, se ka sponsorizuar dhe ideuar prishjen e fabrikave shqiptare, por harrojmë që vetë Serbisë nga ana tjetër i janë prishur fabrika serioze dhe shumë më konkuruese, e nëse në shqipëri i kemi prishur me kazma, në Serbi ato janë prishur në mënyrën më demonstrative me bomba.
Se kush i prishi fabrikat tona, mjafton të shikojmë se çfarë makinash posedojnë shqiptarët?! -Zastava Serbe, Lada ruse, Mercedez Gjerman, apo Jeep-a Amerikanë? Dhe përgjigja mbi autorët e shkatërrimit të fabrikave tona është aty para syve tanë; pra Gjermania e Mercedezit, Franca e Peugeot dhe Amerika e Jeep janë natyrshëm vrasëset dhe shfarosësit e çdo aktiviteti ekonomik të pavarur, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, Greqi dhe Serbi, por në gjithë botën mbarë.
A mund të akuzojmë amerikanët e zakonshëm, apo elitat amerikane, si monstra që grabëllon dhe vret gjithçka që del përpara? Unë mendoj që diskutimi del jashtë karakterit dhe qëllimit të këtij shkrimi, por një përgjigje mbi përgjegjësit amerikanë vjen në faktin statistikor dhe publik, që mbi 100 milionë amerikanë nuk votojnë kurrë. E si mund të akuzosh amerikanët e zakonshëm, kur më shumë se gjysma nuk votojnë kurrë dhe jetojnë në mospajtim të plotë me qeverinë dhe elitat e tyre të korruptuara?! E si mund të akuzosh popullin e thjeshtë dhe punëtor gjerman, i cili jeton në një shtet të ngritur mbi marrëveshjet e humbjes së luftës së dytë botërore. Marrëveshje që u ngritën mbi miliona viktima gjermane, mbi një shtet të rrafshuar nga bombat, mbi një realitet historik tragjik, i cili është përdhunimi në mbarim të luftës së dytë botërore praktikisht i çdo femre gjermane. Dhe nga kjo analizë i ndan lehtësisht industrialistët gjermanë, nga popullsia e thjeshtë gjermane; korporatat gjermane, nga individët e thjeshtë gjermanë; pushtetarët dhe elitat e korruptuara gjermane, nga miliona burra dhe gra të ndershëm të gjermanisë. Dhe kjo nuk e bën aspak të thjeshtë akuzën tonë, por e komplikon atë më tepër.
Në prespektivën filozofike, historike dhe në atë kulturore, nuk do të hezitoja të drejtoja gishtin akuzues për prishjen e industrisë shqiptare ndaj vetë pupullit shqiptar. A do të dënohej dot Havzi Nela në Kukës, nëse gruaja e tij nuk do t‘a divorconte dhe nuk do ta braktiste atë pak para se të varej barbarisht?! – Jo, një dënim i tillë nuk do të ishte i mundur kurrë. A do të mbahej 3 ditë i varur Havzi Nela në mes të Kukësit, nëse kuksianët në ndërgjegjen e tyre nuk do t‘a dënonin me vdekje, edhe pse e dinin që ishte i pafajshëm? – Jo, një dënim i tillë barbar dhe mesjetar nuk do të mund të realizohej kurrë. Është e vërtetë që regjimi komunist e donte të vdekur Havzi Nelën, siç i donte të shembura xhamiat dhe kishat dhe shumçka tjetër, por asgjë nuk do të arrihej pa korruptimin e një pjese të mirë të shoqërisë shqiptare dhe pa tradhtinë e kuksianëve të mi dhe pa tradhtinë dhe besëprerjen e çdo familjari, kushëriri dhe të afërmi të Havzi Nelës, të afërmi dhe familjari të çdo viktime tjetër të komunizmit.
Gjithashtu pas vitit ’90 kemi dëshmuar qindra dhe mijra raste konfliktesh që kanë lindur për shkak të dëmshpërblimeve që regjimi ofroi për familjet dhe të afërmit e viktimave të komunizmit. Ndërkohë nuk është bërë publik asnjë rast, i cili ka kryer atentat, ose është përpjekur për të bërë vetëgjyqësi ndaj bllokmenëve, të cilët mbajnë mbi shpatulla rreth 20 mijë viktima, edhe pse në mënyrën më qesharake Europa nga akuzon ose na kalsifikon si shoqëri kanunore dhe shoqëri e gjakmarrjes, ndërkohë faktet flasin të kundërtën: shqiptarët e kanë falur kokëulur dhe pa asnjë vështirësi gjakun e 20 mijë viktimave të komunizmit. Ja pra, ky lloj shqiptari që mbytet dhe hahet si vemje për parat e të pushkatuarëve, ky lloj shqiptari është dhe vrasësi dhe shkatërruesi i çdo fabrike dhe i çdo punishtje në shqipëri, ky lloj shqiptari ësht sot dhe mbështetja më e madhe dhe ndoshta mbështetja e vetme e terroristëve që drejtojnë vendin.
Është e vërtetë që çdo fabrikë dhe çdo punishte në Shqipëri është urdhëruar që të shkatërrohet nga vetë Ambasada Amerikane në Tiranë, siç projekton dhe përndjekjen e çdo aktivisti dhe disidenti politik, por asnjë tullë nuk do të mund të shembej, dhe as një qime floku nuk do të mund t‘u prekej intelektualëve shqiptarë, patriotëve shqiptarë dhe disidentëve shqiptarë, jo pa tradhtinë e familjeve të tyre, motrave të tyre, kushërinjve të tyre, fisit dhe lagjeve të tyre, jo pa tradhtinë e mbarë popullit shqiptar.
Juridikisht prapa çdo shkatërrimi në Shqipëri është natyrshëm dhe logjikisht ajo që përfaqëson fuqinë më të madhe në botë, vetë Ambasada Amerikane, dhe nuk ka asnjë dyshim, pasi gjithçka ka të bëjë me pushtetin, forcën dhe fuqinë, por fajtorë të vërtetë dhe ekzekutorë të fëlliqur dhe të degjeneruar jemi vetë ne shqiptarët.
Punëtorët e fabrikave nuk morën as guximin më të vogël që të organizohen për të mbrojtur vendet e tyre të punës. Por të prishur në shpirt dhe të korruptuar në gjithçka, zbatuan verbërisht propagandën e qeverisë shqiptare, duke kapur kazmat dhe duke i shembur një e nga një të gjitha ato pak fabrika që trashëguan nga regjimi komunist. Degjenerimi dhe prishja mund të përshkruhen, kur t‘i rrok kazmën dhe prish punishten në të cilën ke ushqyer familjen deri dje, por nuk ka fjalë që e përshkruan prishjen, korruptimin dhe degjenerimin tonë, kur rrokëm sëpatat dhe premë të gjitha vreshtat dhe pemët, dhe arritëm deri aty, sa premë dhe pemët në mes të qyteteve tona. Është e vërtetë që unë kam akuzuar gjithmonë Qeverinë Terroriste të Tiranës për projektimin e shqipërisë apo të shqiptarisë të dështuar që kemi sot, por sot është koha që çdo tradhtar, çdo spiun, çdo i degjeneruar e çdo i korruptuar në vetet tona, në familjet tona, në lagjet, fshatrat dhe qytetet tona, të denoncohet, me shpresën që mund të ketë ndryshim. Libri i shenjtë na mëson: ”unë erdha të sjell shpatën në mes jush, dhe jo paqen“, kështu që duhet të mësojmë nga kjo, që paqja vjen nga shpata, që do t’u tregojmë tradhtarëve, të pabesëve dhe të keqes.
Në eksperiencën time, referuar fakteve, gjatë arrrestimit tim më 4 maj, 2015, në një proteste rutinë të mbajtur në Kukës, Qeveria Shqiptare kishte planifikuar mbi 12 vite burg, pasi ngriti 4 akuza, dhe ligjërisht mund të shtonte akoma; kështu që logjikisht njerëz të profilit tim qeveria i liston si njerëz për t‘u dënuar me burgim të përjetshëm, edhe pse janë 100% të pafajshëm. Siç ka dënuar njëlloj pafajësisht rreth 100 mijë shqiptarë në 70 vitet e fundit, ku rreth 20 mijë kanë përfunduar në litar, ku pjesa më e madhe kanë qenë 100% të pafajshëm, të tradhëtuar dhe nën akuza të rreme.
Unë dola nga burgu falë vëllait tim Sabri Lushi, i cili nxori në pah juridikisht pafajësinë time dhe zbrapsi tradhtitë e avokatit tim dhe të të gjithëve, të cilët në mënyrën më qesharake ishin shprehur që kemi më leverdi ta mbajmë në burg, sepse vetëm kështu e nxjerrim prej aty si hero, sigurisht pas shumë e shumë kohësh, pra siç kishin nxjerrur si ”heronj” rreth 100 mijë të dënuarit e komunizmit. Pra askush nuk bëri të mundur lirimin tim, përveç Sabri Lushit; asnjë i njohur, asnjë i afërm, asnjë mik e shok nuk i ndoqi seancat e mia gjyqësore, përveç disa familjarëve, sepse qeveria shqiptare dukej që i kishte ”rregulluar“ të gjithë një e nga një, që nga shumë të afërm, dhe deri tek të njohur të mi të rastësishëm që jetonin në Kosovë, Itali dhe deri në Amerikën e largët.
Ishte publiku kuksian (njerëz jo me lidhje gjaku, dhe jo familjarë të mi), të cilët ngritën zërin kudo për lirimin tim dhe për pafajësinë time, aq sa një ditë pas arrestimit, vëllai im, Sabri Lushi, organizoi personalisht një peticion fizik për lirimin tim, i cili ishte firmosur brenda pak orësh nga qindra kuksianë, fakt që vërtetonte që opinioni publik ishte në anën time, gjë e cila ka ndikuar jo pak në lirimin tim pas 16 ditësh arrestim me burg. Ja pra, shohim se çfarë do të thotë kur publiku reagon dhe bën gjënë e duhur: të shpëton jetën dhe bën që të jetosh në liri, edhe pse ambasadat e huaja, edhe pse qeveria shqiptare të do të vdekur. Nisur nga prespektiva dhe nga eksperienca personale, mund thë them, që roli i shqiptarëve në prishjen e Shqipërisë është jo i vogël, ndoshta mund të thuhet që ka qenë vendimtar, por nuk është kurrë vonë për të shlyer atë që është bërë dhe të ringrihemi si shtet dhe si komunitet shqiptar në Ballkan, dhe më tej për të bashhkëjetuar në paqe me fqinjët tanë.
Të kthehemi sërish tek akuzat ndaj Greqisë: ndërsa unë akuzoja Greqinë për influenca imperialiste, borxhi publik në Greqi kishte kapur vendin e parë në botë. Papunësia në Greqi kishte kapur nivele të tilla që e çojnë një vend në luftë civile. Pra faktet flasin ndryshe nga sharjet që bëja unë në vitin 2016. Nëse krahasojmë Shqipërinë dhe Greqinë, se cili shtet është më i sulmuar dhe më nën sulm nga elitat, atëherë duhet t‘i analizojmë vendet ballkanike në raport me pikat e mëposhtme dhe në fund do të marrim një përgjigje:
- Numri i popullsisë
- GDP-në, pra sa kapacitete ekonomike ka një shtet.
- Historia si shtet dhe si faktor ndërkombëtar.
- Vendodhja gjeografike si rëndësi strategjike.
- Universitetet dhe kapacitetet intelektuale.
- Luftrat që ka fituar në të shkuarën si shtet, etj.
Nëse e krahasojmë Shqipërinë, Serbinë dhe Greqinë më pikat e listuara, kuptojmë lehtë që Greqia dhe Serbia janë shumë herë më nën sulm se ne, dhe formë e slumeve ndaj tyre është dhe angazhimi i tyre kundër shqiptarëve. Realisht Serbët, Grekët dhe Shqiptarët kanë të njëjtët armiq, edhe pse një diskutim i tillë është subjekt diskutimi i intelektualëve të një vendi, të cilët zakonisht regjimi serb, ai shqiptar dhe regjimi grek i çon në litar, i zvarrit rrugëve pa punë dhe pa ushqim ose në rastin më të keq i ekzekuton me plumb. Nëse do të kërkonim një armik të perceptueshëm dhe të prekshëm në këto tre shtete ballkanike, pra pa kaluar në qasje intelektuale, atëherë mund të thuhet që armiku i shqiptarëve janë vetë qeveritë shqiptare në ballkan, armiku i popullit serb është vetë qeveria serbe dhe armiku i popullit grek është vetë qeveria e tyre.
Unë besoj që çështje të tilla kërkojnë studime, lexime dhe botimin e qindra e mijra librave, për t‘i dhënë formë kështu opinionit publik dhe për të edukuar masat drejt të vërtetës. Nuk mund të diskutohet çështja e fabrikave pa u ndalur në disa çështje që sqarojnë dhe nxjerrin në pah teknikat, djallëzitë dhe anën e komplikuar të realitetit.
Prandaj lëvizja intelektuale Kontrata e Re vjen natyrshëm, si një shpresë dhe si një mundësi e madhe për shqiptarët, për ata që kërkojnë drejtësi dhe ndryshim. Pasi ne besojmë që janë shqiptarët e thjeshtë që duhet të kërkojnë një kontratë të re mes shqiptarëve, një kontratë të re mes popullit shqiptar dhe perëndimit, një kontratë të re me popujt e tjerë në ballkan, dhe gjithçka do të mund të arrihet me armën e fuqishme dhe të sprovuar që quhet penë dhe përmes promovimit të guximshëm të ideve në publik dhe vetëm në publik.
Shpresë dhe ndryshim
Nga Nderim Lushi – Mynih
Më poshtë keni shkrimin ose komentin që kam shkruar në vitin2016, i cili është lexuar pafund dhe është shpërndarë vazhdimisht nga rrjetet sociale të cilat i përkasin indirekt qeverisë.
Shkatërrimi i 500 fabrikave në Shqipëri nga viti ’90-’95 u urdhërua nga boshti Athinë-Beograd!
Në Shqipërinë e viteve ’90 – ’95 ishin në gjendje pune rreth 500 fabrika, të cilat ishin relativisht të amortizuara dhe nuk mund të konkuronin tregun e jashtëm.
Besoj keni dëgjuar që në ditët e sotme lufta nuk është më me heshta, shpata dhe pushkë, (përgjithësisht) por sot lufta e vërtetë është lufta e tregjeve, dhe per tregje.
Normalisht pjesa më e madhe e fabrikave tona prodhonin produkte, që nuk mund të konkuronin tregun e huaj, por me pak investime dhe rinovime, shume shpejt Shqipëria do të prodhonte produkte konkuruese dhe me kosto të lirë.
Ja pse fabrikat nuk duheshin prishur:
1-Fabrikat posedonin strukturën, terrenin dhe infrastrukturën ndihmëse.
2-Fabrikat tona mund të shërbeheshin me krah të lirë pune dhe me specialistë me shumë eksperiencë.
3-Fabrikat tona mund të mos konkuronin tregun e jashtëm, por mund të furnizonin tregun vendas.
Imagjinoni Serbinë+Greqi duke paguar qindra miliona dollarë direkt qeverinë Shqiptare, me kushtin e vetëm, shkatërrimin e çdo fabrike, kështu në Ballkan Shqipëria dorëzohej pa kushte përballë “armatës” të prodhimeve Serbe dhe Greke; kështu që gjithçka merr kuptim kur ekuacionit tonë i bashkangjitet Serbia dhe Greqia.
Do të kishte kuptim të prisheshin një pjesë e fabrikave, por jo të gjitha!
Normalisht Serbët dhe Grekët paguan qeverinë tonë për të realizuar falimentin e ekonomisë Shqiptare!
Prishja e rreth 500 fabrikave u urdhërua nga Beogradi dhe Athina dhe u realizua nga “kupola komuniste” dhe qeveria Shqiptare e asaj kohe.
Ky akt nuk ishte gjë tjetër, por pushtim ekonomik i Shqipërisë, i realizuar nga tradhtarët e kombit!
Shqiptarët do ta kenë drejtësinë e tyre!
Të bashkuar mund t’ia dalim!
Nderim Lushi – Mynih
shënim: asnjë portal dhe asnjë faqe dhe askush nuk është i autorizuar t’a kopjojë si shkrim. Mund ta shpërndani vetëm në facebook, pra nga ky blog.
Faleminderit!