Organizohu dhe kërko të drejtën tënde

by Nderim Lushi

Përpara se të vendosni të organizoheni publikisht për të kërkuar të drejtat tuaja duhet të konsideroni disa të vërteta të dala nga eksperienca.

Kjo që do të shkruaj bazohet mbi eksperiencë të vërtetë dhe kjo eksperiencë mund të shërbejë si një burim informacioni për të gjithë ju,  por në ndryshim ju keni avantazhin që të përgatiteni për çdo detaj dhe për çdo të papritur.

Get tirana.social on google play:

Në vitin 2015 qeveria shqiptare ndërmori fushatën e papreçedentë për të mbledhur debitë dhe kamatvonesat e OSHEE, dhe kjo fushatë u shoqërua me mijëra arrestime, falimentime masive të biznesit të vogël, vetëvrasje e deri tek shtyrja e mbi 50 mijë shqiptarëve drejt azilit në vendet e BE.

Kështu që, në qytetin e Kukësi unë organizova në mënyrë të pavarur një peticion, ku i kërkohej qeverisë anullimi ose falja e borxheve dhe kamatëvonesave që familjet kuksiane dhe hasiane i detyroheshin OSHEE. Peticioni u nënshkrua në kohë rekord nga 2500 kryefamiljarë të shoqëruar me kartë identiteti. Më pas proçesi u shoqërua me rreth 5 protesta duke kulmuar në dorëzimin e një kopje të peticionit dorazi ish Presidentit të Republikës, Z. Bujar Nishani gjatë një takimi në prill të 2015 në Shishtavec të Kukësit, dhe me protestën e 4 maj 2015, ku unë u arrestova dhunshëm nga forcat policore

Peticioni filloi me 18 shkurt 2015, dhe po atë natë një zyrtar i lartë i opozitës shqiptare më kishte dërguar një sms në facebook ku shkruante, “Nderim Suksese”! Vetëm se këtë sms do e shikoja pas 6 muajsh, sepse mesazhet e atyre që nuk i ke miq në facebook ruhen në folderin spam. Këtë po e them për të dëshmuar, që sado i parëndësishëm më dukej mua peticioni, kishte fituar vëmendjen e krerëve të politikës, që në orët e para të organizimit të ij. Pikërisht ky është dhe qëllimi i këtij shkrimi për t’iu sqaruar për rëndësinë dhe fuqinë politike të secilit nga ju.

 Më vonë do të kuptoja, që hapja e mënjëhershme e dy ose tre pikave të agjensive financiare në Kukës ishte një kundërmasë e qeverisë shqiptare që kishte të bënte vetëm me protestat dhe aftësinë protestuese dhe reaguese të qytetarëve kuksianë. Në dy tre muajt e parë këto fondacione ofruan para dhe kredi pothuajse për të gjithë individët që ishin fotografuar në protesta, dhe për të gjithë ata që ishin të papunë dhe brenda dy tre muajsh mediat raportonin që kuksianët e larguar drejt Gjermanisë kapnin shifrat e 7-13 mijë individëve, në një Bashki që kishte një popullsi rreth 30 mijë banorëve. Kështu që praktikisht qyteti u shkretua dhe të zinte syri vetëm policë dhe zyrtarët e zyrave shtetërore. Të protestoje në Kukës ishte një vendim i gabuar pasi qyteti ishte shumë i vogël dhe i kontrollueshëm lehtesisht nga qeveria shqiptare. Dhe si për të thënë që “Kukësi është vendi, ku duhet protestuar”, zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar do ta vizitonin Kukësin tërë “shqetësim”, pothuajse çdo ditë. Në Tiranë nuk do të kishte funksionuar kurrë hapja e disa agjensive financiare pasi Tirana është qytet i madh, ndërsa në Kukës gjithçka rezultoi shumë e lehtë për qeverinë.

Në atë kohë shumë të njohur të mi ishin të papunë dhe pa asnjë shpresë për të ardhmen. Po çfarë ndodhi me ta? Përgjigja është shumë e thjesht. U deshën vetëm 6 muaj, që njëri pas tjetrit të gjithë të largoheshin me viza angleze, kanadeze dhe amerikane. Një pjesë u punësuan në punë shtetërore dhe private, dhe kjo si një fushatë e ambasadës amerikane dhe qeverisë për të më izoluar nga çdo ndihmë direkte, apo indirekte nga këta të njohur, dhe kjo mund të ndodhë dhe me ju nëse mendoni të vetëorganizoheni për të drejtat tuaja.

Në vërtetë kjo që ka ndodhur me mua duhet konsideruar, pasi ju nuk bëni përjashtim, por në ndryshim nga eksperienca ime, ju mund të organizoni gjithçka në mënyrë shumë më të organizuar dhe të evitoni disa nga pengesat që qeveria organizon.

Mund të filloni gjithçka me shkrime në facebook, peticione dhe deri në hapin më serioz, të organizimit të tubimeve dhe protestave të ligjshme. Por përpara se të hidheni në një sipërmarrje të tillë duhet të keni të qarta disa gjëra.

  • Ka shumë rëndësi, se kush jeni ju dhe çfarë raportesh keni me paranë. Personalisht nuk do t’iu paragjykoja nëse në fund të proçesit do të përfundonit me disa para më tepër në xhep, por ky aktivitet do të bënte që të keni kundër vetë shtetin, dhe se izolimi ekonomik ndaj jush është diçka e zakonshme dhe shumë më e lehtë nga ç’mund të gjykohet në fillim, prandaj konsiderojeni këtë.
  • Duhet të jeni të paktën me arsim të mesëm, ose të keni mbaruar universitetin, por nëse keni talentin e duhur dhe aftësitë e duhura nuk ka ndonjë rëndësi arsimimi. Do të shtoja, që sa më i pashkolluar, por me talentin dhe aftësitë e duhura, do të jeni një shqetësim i vërtetë për regjimin. 
  • Në fillim duhet të reflektoni shumë mbi familjen tuaj, pasi të parët që do të punojnë kundër jush do të jenë vetë familja juaj. Nëse anëtarë të familjes suaj janë pjesë e shish ose ish-sigurimit, për të cilët ju nuk jeni në dijeni, ata do të sabotojnë kundër jush në heshtje dhe në mënyrë të padukshme. Prandaj do të ishte një ide e mirë të jetonit vetëm që në fillim, ose të largoheshit me qira përkohësisht.
  • Kujtoni që çdo sherr apo konflikte që keni pasur në jetë me individë të caktuar, të gjithë njëri pas tjetrit do të rishfaqen në jetën tuaj dhe do të tentojnë të rivazhdojnë marrëdhënjen e sherreve e të konflikteve me ju. Vetëm se këtë herë prapa tyre është e gjithë fuqia shtetërore, tërë armët dhe gjithë parat e saj, prandaj bëni kujdes dhe evitoni çdo sherr apo konflikt personal. Çdo provokim, sado i parëndësishëm, konsiderojeni si një sulm të organizuar shtetëror dhe akuzoni publikisht qeverinë shqiptare dhe ambasadën amerikane.
  • Duhet të dini, që të parët që do t’iu afrohen do të jenë njerëzit dhe spiunët e shish.
  • Kujtoni, që gazetarët janë terroristë me kohë të plotë të këtij sistemi politik, kështu që mos flisni kurrë me ta dhe mos pranoni ftesat për intervistë: ata kërkojnë arrestimin tuaj dhe prishjen e figurës suaj përmes mediave. Unë kam gabuar rëndë me gazetarët, dhe në rastin tim ishte Klan Tv që prodhoi akuzat ndaj meje prej të cilave rrezikova 4 vite burg dhe një proçes gjyqësor që zgjati 2 vite. Prandaj kujtohu në çdo moment: gazetarët janë terroristë me kohë të plotë dhe se ata janë armiqtë tuaj!
  • E kaluara juaj s’ka ndonjë rëndësi, dhe nuk keni pse shqetësoheni. Qeveria dhe regjimi posedon në sirtaret e saj gjithçka keni bërë e menduar të bënit në jetë. Edhe nëse nuk do të kishit asnjë problem në të kaluarën, qeveria posedon kapacitetet e duhura dhe infrastrukturën e duhur për të fabrikuar gjithçka që do të njolloste figurën tuaj, prandaj nuk keni pse shqetësoheni. Ju jeni thjesht një individ; vetë fakti që ju jeni i vetëm kundër një regjimi shumë të fuqishëm, do t’iu ngrinte në një lartësi prej ku nuk do të kishte shpifje dhe fabrikim që do t’ju rrëzonte.
  • Aktivitetin politik duhet ta bazoni në disa kauza, të cilat ju i mendoni si një shqetësim për shqiptarët, siç janë varfëria, prishja e ndërtimeve pa leje, apo papunësia, por kjo do të jetë puna, vepra dhe zgjedhja juaj. 
  • Peticionet, aktivitetet, deklaratat e deri tek tubimet, duhet t’i bëni me shumë kujdes dhe vetëm brenda kontureve të ligjeve. Paligjshmëria i intereson vetëm qeverisë e jo juve.
  • Shkarkoni dhe printoni ligjin për tubimet “L I G J Nr.8773, datë 23.4.2001 PËR TUBIMET”.
  • Hapni një blog me pagesë, ose falas në https://wordpress.com, ose në platformën https://tirana.social
  • Një tubim nuk iu kushton më shumë se 100 euro, ku përfshihen shpenzimet e letrave, sms-të dhe njoftimet e ndryshme.
  • Mos pretendoni të paguani aktivistë, miq e bashkëpunëtorë, qoftë dhe në mënyrë të ligjshme. Paraja është pika më e dobët e juaja dhe pika më e fortë e regjimit. 
  • Mësoni të formuloni një njoftim për tubim derguar komisariatit të policisë, një kopje do të bashkangjitet në fund të shkrimit.
  • Në rast arrestimi ju duhet të ruani gjakftohtësinë. Pavarësisht mediatizimit dhe zhurmës që mund të krijohet, mos humbisni gjakftohtësinë dhe kujtoni në çdo moment që gjithçka e keni bërë të ligjshme dhe se gjërat nuk janë aq tragjike.
  • Meqense ju do të jeni një rast politik, pra jeni arrestuar për arsye politike, avokatët do të jenë armiqtë tuaj dhe do të ishte një ide e mirë, që të kishit kulturën e duhur juridike dhe të vazhdonit proçeset gjyqësore pa avokat.

Bashkim dhe për të vërtetën!

Më poshtë keni një shembull se si të formuloni një njoftim për tubim, të cilin ia postoni me postë të shpejtë komisariatit në vendin, ku planifikohet mbajtja e tubimit. Bëni kujdes të ruani çdo faturë të postës, e cila shërben si provë e ligjshmërisë dhe njoftimit brenda afateve për tubimin që do të organizoni.

Njoftimi për tubim drejtuar komisariatit të policisë. Klikoni dhe shikoni si formulohet një njoftim për tubim drejtuar komisariatit të policisë. Shkarkojeni në kompjuterin ose smarphonin tuaj:

NJOFTIM PËR TUBIM DREJTUAR KOMISARIATIT TË POLICISË

Shkarkojeni ose lexojeni: L I G J Nr.8773, datë 23.4.2001 PËR TUBIMET duke klikuar më poshtë,

LIGJI PËR TUBIMET nr.8773 23.4.2001

Related Posts